Sunday, April 28, 2013
Protestë kundër avionëve pa pilot në Britani
Londër, 28 prill - Një ditë pasi Britania e Madhe lajmëroi për përdorimin për herë të parë të avionëve të telekomanduar pa pilot në Afganistan, një numër protestuesish u tubuan përpara një baze ajrore, duke kundërshtuar këtë vendim të qeverisë.
”Njerëzit janë të zhgënjyer nga ideja që edhe Britania do të përfshihet në këtë lloj lufte moderne” tha John Hilary, një aktivist, transmeton TCH.
Në koalicionin kundër përdorimit të kësaj teknologjie, përfshiheshin edhe Shoqata të Çarmatosjes, Denuklearizimit dhe organizata të tjera pacifiste.
Të quajtur ndryshe “drone”, avionët pa pilotë përdorën gjerësisht nga ushtria amerikane për goditjen e talebanëve në Afganistan, Pakistan apo për të eliminuar objektiva të tjerë në zonat më problematike të globit.
Ministria Britanike e Mbrojtjes justifikoi nisjen e përdorimit të avionëve të telekomanduar me arsyetimin se ata ndihmojnë në shpëtimin e jetëve të ushtarëve.
Megjithatë, për protestuesit, “një robot nuk mund të bëjë dallimin midis një terroristi apo pacifisti, midis një gruaje e një burri, midis një keqbërësi e një fëmije, ndaj duhet të eliminohet menjëherë”.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment