Saturday, May 4, 2013

Oslo përballet me mungesë bërlloku!


Oslo përballet me mungesë bërlloku!




Oslo, 1 maj – Lirisht mund të thuhet se kryeqytetin e Norvegjisë e mundon një problem, të cilin do të donim ta kishim në Prishtinë, e kjo është mungesa e bërllokut (mbeturinave).

Arsyeja e mungesës së mbeturinave është fakti se gjysma e Oslos furnizohet me energjinë termike që prodhohet nga djegia e mbeturinave, kurse një problem shtesë në mbledhjen e sasive më të mëdha të bërllokut është edhe fakti se shumë materiale nuk hidhen në mbeturina, por shkojnë në riciklim, shkruan New York Times.

Oslo bën garë në grumbullimin e mbeturinave edhe me qytetet e tjera nga veriu i Evropës, madje edhe me Stokholmin, i cili ka bindur disa qytete të vogla norvegjezë që t’iu dorëzojnë mbeturinat në Suedi. Bërlloku madje importohet edhe nga Irlanda. 

Fabrikat për djegien e mbeturinave në veri të Evropës do të mund të “përpunonin” rreth  700 milionë tonë bërllok, por nuk arrijnë të marrin më shumë se 150 milionë tonë. 

Për arsye të ndërtimit të fabrikave të reja anekënd Evropës, në Suedi, Gjermani, Holandë dhe Austri, drejtori i agjencisë norvegjeze për riciklim të mbeturinave është i brengosur për mungesë të mbeturinave, pasi ato do të blihen nga ngrohtoret që djegin mbeturina për ngrohje të qyteteve. 

Bërlloku është bërë mall që kërkohet gjithnjë e më shumë, por norvegjezët janë përzgjedhës. Ata nuk duan të importojnë mbeturina italiane nga Napoli, tha Hege Rooth Olbergsveen, ish-këshilltar i programit për menaxhimin e mbeturinave në Oslo, “sepse ai nuk është i pastër dhe i sigurt sikur bërlloku anglez”.  

No comments:

Post a Comment